Gjakovari kapet në flagrancë me narkotikë, e zbulon se drogën e bleu për 10 euro në Prishtinë
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Një rast i tillë është zbuluar edhe së fundmi në rrugën ‘Martirët e Lirisë’ në Gjakovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se gjatë patrullimit të Policisë në atë pjesë, është ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Me rastin e kontrollit policor, te i dyshuari, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
Për shkak të posedimit drogës, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet, me ç’rast ka zbuluar se marihuanën e ka blerë në Prishtinë për 10 euro.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.