Geci vazhdon akuzat: Hashim Thaçi u mundua të më vriste pas vdekjes së Adem Jasharit
Hashim Thaçi donte të na vriste pas vdekjes së Adem Jasharit”.
Kështu u shpreh Gani Geci, vëllai i Fadil Gecit, i cili dëshmoi kundër Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai tha se kërkonin asgjësimin e tij, teksa sjell në vëmendje edhe një sulm që rezultoi me plagosjen e tij dhe humbjen e dy miqve të tij, duke e cilësuar atë si pasojë e një komunikate të lëshuar nga UÇK-ja.
“Ata kërkonin asgjësimin tim. Ata e përdornin emrin e shtabit të përgjithshëm, jo emrin të përveçëm. Në vitin 2001 organizohet një pritë kundër meje. Mi vrasin dy shokë, mua më plagosin”, tha Geci në A2.
Ndonëse nuk ndien frikë, ai pranon rrezikun nga ‘hienat e natës’, siç i quan ai.
“Me thënë të drejtën, unë frikë nuk kam, rrezik ka, por frikë nuk kam se nuk i frikësohem këtyre hienave të natës. Nuk i jam frikësuar Serbisë që ka pasur helikopterë, jo këtyre të hajnave natën, që këta veç natën janë fortë”, tha ai në A2.
Ai shprehu gatishmëri për të dëshmuar në Hagë, duke mbrojtur legjitimitetin e tij dhe për të zbuluar të vërtetën mbi komunikatën 59, për të cilën akuzon drejtpërdrejt Hashim Thaçin.
“Hashim Thaçi është munduar me më denigruar. Për atë ka shkuar Fadili që aty me ju kallëzu që nëse nuk është Ganiu, është Fadili dhe ne jemi 7 vëllezër dhe ne jemi të pëqëndruar të mbrojmë njëri-tjetrin dhe që nuk mund të na zmbrapsin nga e drejta jonë legjitime, nacionaliste, demokratike, për të kërkuar zbardhjen e komunikatës numër 59, për të kërkuar ata që na vranë, për të kërkuar ata që dhanë urdhër, për të kërkuar ata që shkruan komunikatën”.