Futbollistja e Kosovës i këndon Adem Jasharit nga Amerika
Futbollisten e Kombëtares U16 të Kosovës, Riga Kallabën, nuk e kanë penguar mijëra kilometrat nga Chicago për t’i kënduar këngë komandantit legjendar, Adem Jasharit.
Kallaba rrugës për në stërvitje në veturë këndonte këngën “Mora Fjalë” që i kushtohet Adem Jasharit. Pamjet i ka publikuar babai i saj në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Me Rigën rrugës për në stërvitje” – shkroi në përshkrimin e videos Shpend Kallaba në rrjetin social.
Për këtë veprim të futbollistes dardane ka reaguar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. I pari i shtëpisë së futbollit të Kosovës e ka përgëzuar Kallabën për atdhedashurinë e saj.
“Mirëmëngjesi me këtë këngë nga lojtarja jonë e re nga Chicago, Riga Kallaba. Të lumtë Riga për atdhedashurinë, talentin e jashtëzakonshëm në futboll dhe zërin e ëmbël”, ka shkruar Ademi.
Riga Kallaba debutoi te Kombëtarja U16 e Kosovës në turneun e UEFA-s në Kamëz. Ajo në debutim me Kosovën shënoi katër gola dhe dhuroi pesë asistime në tri ndeshje.