Fushatë apo “Rend e Ligj”? Inspektorati mbyll disa lokale në qendër të Prishtinës – në shënjestër edhe “Che Bar”
Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, Inspektorati Komunal i Prishtinës ka zhvilluar një aksion në zonën e njohur të “Kafeve të Vogla”, që ka rezultuar me mbylljen dhe ndëshkimin e disa lokaleve për shkelje të orarit të punës dhe mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se cak i aksionit ishte edhe lokali “Che Bar”, i njohur për afërsinë e pronarit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Kjo ka ngritur dyshime nëse aksioni ishte vërtet i motivuar nga zbatimi i ligjit, apo në funksion të një fushate selektive politike në prag të zgjedhjeve.
Sipas informacioneve, lokalet janë sanksionuar për punë jashtë orarit të lejuar (pas 24:00), por sinjalizuesit theksojnë se nuk janë ndëshkuar të gjitha bizneset në zonë, një fakt që shton dyshimet për përzgjedhje të qëllimshme.
Në mungesë të një komunikate zyrtare nga Komuna e Prishtinës, qytetarët janë të ndarë, disa e shohin si aksion të mirëpritur për zbatimin e rregullit, ndërsa të tjerët e konsiderojnë si pjesë të një loje politike të orkestruar me qëllim të promovimit të autoritetit para zgjedhjeve.
Fushatë agresive apo rikthim i ligjshmërisë? Pyetja mbetet e hapur.