FSK-ja forcohet për tri vende, ushtria e Kosovës këtë vit e 138-ta në botë

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas platformës prestigjioze online “Globalfirepower” për vitin 2026, nga 145 shtete të vlerësuara në botë, për nga fuqia ushtarake renditet e 138-ta. Serbia vazhdon të jetë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në rajon, ndërkaq në botë më e fuqishmja, e pakonkurrencë, mbetet ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Faza e tretë dhe e fundit e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të mirëfilltë, e cila ka nisur në vitin 2025 e përfundon më 2028-n, me shtimin edhe të kapaciteteve ajrore, po sjell frytet e saj edhe në raport me fuqinë ushtarake, e cila po rritet e po shtohet për çdo vit.

Platforma online “GlobalFierepower”, e cila është e specializuar në vlerësimin e fuqisë ushtarake, në mesin e 145 shteteve, fuqinë ushtarake të Kosovës e ka renditur në vendin e 138, tri vende më lart sesa vitin paraprak.

Ushtria e Kosovës posedon dronët turq “Bajraktar”, fluturaket amerikane pa pilot “Puma” dhe planifikohet që të pajisjen edhe me helikopterët amerikanë “Black Hawk”, por në databazën e “Globalfirepower” nuk vlerësohet se posedon fuqi ushtarake ajrore, meqenëse aty hyjnë në llogaritje helikopterët e aeroplanët sulmues e transportues me pilotë.

Sipas “GlobalFierepower”, në kapacitetet maksimale mbrojtja e Kosovës mund të posedojë mbi 17500 njerëz potencialisht të gatshëm për mobilizim dhe 9500 ushtarë të armatosur, prej tyre 4000 mijë rezervistë.

Ushtria e Republikës së Kosovës thuhet se posedon 1357 automjete, të gjitha të blinduara, prej tyre 745 janë të gatshme të përdorën në çdo momente në terren.

Për mbrojtjen e Kosovës sipas të dhënave të paraqitura nga kjo platformë online harxhohen 16 mijë barela ose fuçi nafte.

Një barel i zë 159 litra naftë, rrjedhimisht i bie që për ushtri harxhohen mbi 2.5 milionë litra naftë.

Lexo edhe:  Burri në Mitrovicë rrah bashkëshorten me grushte e shqelma, përfundon në ndalim policor

Serbia, shteti që vazhdon të jetë kërcënim i vazhdueshëm për Kosovën, renditet e 63-ta, më e fuqishmja në rajon. 22.500 pjesëtarë aktivë, 2000 rezervistë dhe me rreth 600 mijë njerëz të gatshëm për mobilizim.

Edhe fuqia ajrore ushtarake e Serbisë mbetet e lartë, 115 mjete ajrore luftarake, aeroplanë e helikopterë sulmues e po ashtu transportues.

Serbia posedon 242 tanke, 145 prej tyre aktive dhe mbi 7000 mijë mjete të blinduara, mbi gjysma të gatshme për përdorim të menjëhershëm.

Buxheti për mbrojtje shkon në mbi 2.7 miliardë dollarë.

Shqipëria është ngritur për një pozitë në rangim, e 77-ta, mbi 700 milionë euro buxhet për mbrojtje, me gati tetë mijë ushtarë aktivë të armatosur, me rreth 1500 mjete të blinduara, 33 mjete ujore patrulluese, dhe me 20 mjete ajrore, shumica helikopterë.

Kroacia renditet e 73 në këtë ranglistë, ndërsa Maqedonia e Veriut në vendin 114.

SHBA-ja, pa asnjë dyshim, mbetet superfuqia e pakonkurrencë, me mbi 831 miliardë euro buxhet vjetor, duke prirë ushtarakisht në çdo aspekt, në tokë, ajër, ujë, teknologji në gjithçka. E dytat mbetet Rusia, e treta Kina, e katërta India, e pesta Koreja Jugore, e gjashta Franca, e shtata Japonia, e teta Britania e Madhe, e nënta Turqia, ndërsa e top-dhjetëshen e mbyll Italia.