Gjyshi i njërit nga dy nxënësit e lënduar të shkollës “Faik Konica” nga energjia elektrike ka treguar se nipi i tij ishte lënduar gjersa kishte ndihmuar shokun e tij.
Në një prononcim për media, ai tregon se nipi i tij kishte dëgjuar krismën e trafos elektrike dhe, njëherit, britmën e nxënësit.
“Ai tjetri ka gjendjen pak më të dobët e Ermali (nipi) e ka gjendjen pak më të mirë. Rasti ka ndodhur tek një trafo në shkollën “Faik Konica”, ky Ermali tregon se ka tentuar ta nxjerrë shokun nga trafoja dhe është lënduar, ka dorën e lënduar dhe është jashtë rrezikut”, ka treguar ai, gjersa ka shtuar se nipi i ka thënë: “Kam tentuar ta nxjerr shokun, ia kam dëgjuar krismën, ia kam dëgjuar britmën”.
Gjendja e dy nxënësve të lënduar nga energjia elektrike është stabile, ndonëse njëri prej tyre ka djegie serioze.
Kështu ka bërë të ditur mjeku kujdestar Ejup Govori. Ky i fundit ka thënë se njëri prej nxënësve ka pësuar djegie në duar, ndërsa tjetri në duar, në regjionin femoral dhe jo vetëm.
“Tek njëri prej tyre është më lehtë, në shuplakën e dajthtë, në djegie të shkallës së dytë, dy A dhe dy B, dhe është përpunu plaga nga kirurgu plastik, pas një observimi është pranu në kirurgjinë plastike për tretman…Tjetri i vitit 2008, janë sjellë rreth orës 11, ka djegie shumë serioze, në disa regjione, në dy shuplaka të dorës, në regjionin femural në të dy anët, në njërën anë ka shkallë shumë të rëndë… ka shkaktuar vdekje të indit, të qelizave të atij regjionit, po ashtu djegie të sipërfaqes së anës së djathtë të shpinës”, ka deklaruar ai.
Dy nxënësit, të dy 15-vjeçar, janë lënduar nga energjia elektrike në shkollën “Faik Konica”, të martën.