Fituan medaljen e bronztë, flasin vajzat e karatesë: Motiv kemi Majlindën, krenare me medaljen
Shtete të mëdha botërore si Anglia, Zvicra, Franca e Kazakistani iu nënshtruan Kosovës në Kampionatin Botëror të karatesë, duke bërë që Kosova ta fitojë vendin e tretë në botë në kategorinë e vajzave, medalje kjo e para në historinë e Kosovës në nivel të ekipeve.
Karateistet Fortesa Orana, Vlora Qerimi, Hatixhe Zejnullahu dhe Albulena Gërvalla, i siguruan Kosovës këtë medalje historike për të cilën, siç kanë rrëfyer për KosovaPress, ndihen tejet krenare.
Karateistja Fortesa Orana ka thënë se luftërat deri tek medalje nuk ishin aspak të lehta, por forma e mirë e vajzave bëri që të arrihet ky sukses historik.
“E kam pritur këtë rezultat për shkak se punoj shumë vite për këtë rezultat dhe gjithmonë kam qenë afër rezultatit të madh, por ka qenë një befasi e madhe në Kumite Team që e kemi fituar. Shorti ka qenë shumë i vështirë, nuk është që kemi pasur fat në short edhe me e tejkaluar dhe me ardhur deri këtu ku jemi por secila luftë ka qenë luftë e finales, secili shtet ka qenë shumë i fuqishëm. Sa i përket garës, meçin e parë e kemi pasur me Anglinë ku kemi fituar bindshëm unë dhe Vlera Qerimi i kemi fituar dy luftërat kryesore…pastaj na ka rënë me Japoninë, Japonia është fuqi botërore për karatenë…Rivalin tjetër e kemi pasur Zvicrën ku edhe aty kemi fituar bindshëm me rezultat 2-0…më tutje edhe Franca që është ndër garueset më të mira në botë që i ka Franca, njihet për karate që ka shumë potencial edhe aty kemi fituar me fitore bindshëm 2-0, mendoj që ka qenë dita jonë, momenti ynë i artë mendoj dhe pas Francës shkuam për medaljen e bonztë ku i kishim kazaktë…Ka qenë një emocion tepër i madh ku Kosovës ia kemi sjellë një medalje botërore që nuk e ka askush në ekipë ”, tha Orana.
Për të vazhduar në këtë rrugë, Orana thotë se kanë nevojë për më shumë mbështetje, kushte më të mira në stërvitje dhe pjesëmarrje në sa më shumë gara ndërkombëtare.
“Nuk është se i kemi kushtet e mira edhe në sallë, e kemi një sallë shumë të thjeshtë. Besoj që ta kishim pasur një sallë më të mirë dhe tjetra është përkrahja nëpër gara për çdo aktivitet për të qenë garuese e mirë dhe për të pasur medalje botërore dhe evropiane duhet që çdo garë të marrësh pjesë. Normal që ato kushtojnë, federata i mbulon shpenzimet, botërorin, evropianin, ballkaniku e të gjitha i ka hequr federata, por nuk mjafton me kaq. Mendoj që çdo kamp duhet ta ndjekim, çdo garë të karatesë duhet të jemi pjesëmarrës.”, deklaroi Orana.
Orana tutje pranon se motivi kryesor i saj është Majlinda Kelmendi. Sipas saj, Kelmendi ka hapur rrugën e cila duhet të ndiqet nga të gjithë sportistët tjerë.
“Për mua Majlinda është motivi im kryesor. Ajo e ka hapur rrugën dhe tani ne po e ndjekim me të gjitha këto rezultate. Majlinda ndoshta e ka pasur më vështirë për shkak se nuk ka pasur askush në atë kohë që ka fituar medalje, nuk ka pasur inspirim nga askush, kështu që ne kemi prej ku të marrim inspirim, e kemi Majlindën edhe besoj që edhe shumë gjenerata të tjera, shumë vajza besoj që do ta përjetojnë këtë mbështetje për shkak se ne e duam sportin dhe besoj që do t’ia dalim.”, tha Orana.
Krenare me medaljen e bronztë botërore shprehet edhe karateistja Vlera Qerimi, e cila thotë se nuk ndihet krejtësisht e plotësuar sepse nga vetja kërkon edhe më shumë.
“Në extrem mirë pasi që është medalja e parë historike për Kosovën tek femrat për një botëror. Nuk jemi duke u ndjerë ende të plotësuara kështu në shpirt për shkak se kërkojmë edhe më shumë sepse kurrë nuk je i kënaqur kështu që po ndihemi por, por vazhdojmë tutje…Synimi im është Kampionati Evropian për senior të marr në medalje, ta thyej akullin tim në gara individuale sepse në ekipore tashmë e thyem.”, theksoi Qerimi.
Ndërsa, Hatixhe Zejnullahu thotë se pas kësaj medalje ekipore, radha është për të sjellë në Kosovë edhe medalje individuale nga kampionatet evropiane e botërore.
“Vetëbesimi ende më i madh është shtuar shkaku që e dimë që nuk kemi shumë përkrahje, ndonjëherë kemi pasur raste kur nuk kemi pasur motivim shumë ta madh shkaku i mos-fitimit në gara, përkrahjeve e shumë gjërave të tjera, por me këtë medalje që e kemi korrur na ka dhënë shumë motiv edhe besoj që edhe në kategoritë individuale do të fitojmë në të ardhmen. Synimet janë për evropiane dhe botërore të tjera.”, theksoi Zejnullahu.
Ndryshe nga vajzat, në kategorinë e meshkujve, Kosova zuri vetëm vendin e nëntë në botë.