FIFA e dënon Serbinë për sjelljet në ndeshjen kundër Shqipërisë

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë për sjelljen e papërshtatshme dhe diskriminuese të tifozëve gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë, e zhvilluar më 11 tetor në Leskovc, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Sipas njoftimit të federatës serbe, gjoba e vendosur nga FIFA arrin në 87,500 franga zvicerane (rreth 93,981 euro). Dënimi është shqiptuar për shkak të sjelljes ofenduese të tifozëve gjatë intonimit të himnit kombëtar të Shqipërisë, si dhe për thirrjet diskriminuese të bëra gjatë ndeshjes.

Përveç gjobës financiare, FIFA ka vendosur që Serbia të mbyllë pjesërisht së paku 25% të kapacitetit të stadiumit në ndeshjen e radhës garuese që do ta zhvillojë kundër Letonisë në Leskovc.

Gjatë ndeshjes, tifozët serbë kishin bërë thirrje kundër shqiptarëve dhe Kosovës, duke krijuar një atmosferë armiqësore në stadium.

Lexo edhe:  Reshjet e borës, shtyhen dy ndeshjet e sotme të Superligës në futboll