Ferizajasi rrëmben ish-bashkëshortën dhe ia kërcënon familjarët – nëna e gruas kërkon ndihmën e Policisë

Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Ferizaj, ku një person dyshohet se ka rrëmbyer ish-bashkëshorten e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se nëna e vajzës ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se ish-dhëndri e ka marrë me forcën vajzën e saj dhe ka kërcënuar se do t’i vrasë.

Bazuar në dëshminë e saj, ai është larguar bashkë me gruan në drejtim të panjohur dhe tashmë nuk dinë asgjë për fatin e tyre.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave dhe çojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është ricilësuar nga ‘Rrëmbim & Kanosje’ në ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  FSK blen pajisje ushtarake, Mehaj: Për t’i dalë zot vendit, do ta mbrojmë kurdo që të jetë e nevojshme