Ferizaj: Një 22-vjeçare kapet në flagrancë nga Policia me thikë e plot fishekë

Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.

Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në në rrugën “Emin Duraku” në Ferizaj, teksa Policia po patrullonte dhe kapi në flagrancë disa persona.

Sinjali mëson se të dyshuarit që u kontrolluan nga Policia fillimisht dolën nga një veturë dhe nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, zyrtarët policorë i ndaluan.

Pas kontrollit policor, te një vajzë 22-vjeçare, Policia ka gjetur një armë të ftohtë (thikë) si dhe fishekë të armës së zjarrit.

Për pasojë, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e saj për 48 orë dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet

Lexo edhe:  “Mos ma leni në shoqëri të keqe”: Mavraj e takon Endritin, tregon mesazhin që ia kishte dhënë Hashim Thaçi në Hagë