Ferizaj: Gruaja kërcënohet dhe rrahet nga burri para se të niset për punë, shkak xhelozia
Xhelozia bëhet shumë shpesh shkaktar i dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur edhe dje në një familje në Ferizaj, ku viktimë është një 37-vjeçare.
Siç mëson Sinjali, rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur paradite, kur i dyshuari fillimisht e ka kërcënuar gruan me jetë e më pas e ka sulmuar fizikisht para se ajo të nisej për në punë.
Burimet thonë se bazuar në dëshminë e saj, motivi lidhet me xhelozinë e të dyshuarit, sidomos kur e njëjta punon më gjatë.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të raportojë rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë intervenuar.
Burri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.