Familja në Prishtinë në hall nga djali narkoman, tenton t’i sulmojë me thikë vëllain dhe motrën

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

E ndër shkaqet e shpeshta të dhunës në familje, është edhe abuzimi me alkool e substanca narkotike.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Prishtinë, ku një 24-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj vëllait dhe motrës së tij, si dhe ka tentuar t’i sulmojë me thikë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktimat janë detyruar ta denoncojnë rastin në Polici, ku kanë deklaruar se 24-vjeçari është përdorues i substancave narkotike dhe vazhdimisht bën sjellje agresive.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Ky është rahovecasi që ua shpoi gomat veturave të Policisë disa orë pasi e dënuan në trafik