Familja Mikullovci ia rregullon varrin Ademit, ikonës së aktrimit kosovar
“Midis lotësh, kujtimi për ty do të jetë përherë si bashkëshort, baba shembull, aktor e deputet”. Këto janë fjalët e shkruara me shumë dashuri, pranë varrit të aktorit të njohur Adem Mikullovci.
Katër vjet pas vdekjes së tij, familja e aktorit Adem Mikullovci gruaja dhe djali, kanë rregulluar varrin e ikonës së aktrimit kosovar.
Bashkëshortja e tij Lumnije Mikullovci, teksa kujton bashkëshortin e ndjerë, tregon se ndihet mirë që ajo së bashku me djalin e saj, kanë rregulluar varrin, në të cilin prehet më i dashuri i tyre.
Edhe pse ka një dhimbje të madhe dhe i ruan të freskëta kujtimet për të, thotë se ndihet mirë që tashmë varri i tij ka një pamje krejtësisht tjetër, të dinjitetshme, ashtu siç ishte vet ai dhe ashtu siç e meriton një fugurë si Adem Mikullovci.
Megjithëse interesim për rregullimin e varrit kishin shprehur shumë donatorë dhe Ministria e Kulturës, familja Mikullovci kishte refuzuar. Bashkëshortja e Ademit, Lumnija thotë se i ka refuzuar ofertat për ndërtimin e varrit të ish- bashkëshorit të saj, pasi që ka konsideruar se ai e ka merituar që këtë të ta bëjë familja e tij, për të cilën është kujdesur e sakrifikuar tërë jetën.
“Varrin e kemi bërë djali dhe unë, e jo donatorët e as Ministria e Kulturës, pasi që të gjithë i kam refuzuar. Ai e ka merituar që këtë ta bëjë familja”, thotë ajo.
Megjithëse për këtë e kishte refuzuar Ministrinë e Kulturës e donatorë të shumtë, Lumnije Mikullovci thotë se i ka thënë ministrit të Kulturës Hajrullah Çekut se në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij, ata mund ta emërojnë ndonjë rrugë apo obelisk, pasi që ka qenë ndër aktorët e parë në vend. Thotë se ministri është pajtuar me këtë propozim, por se nuk e di se a do ta mbajë fjalën.
“Ministrit i thash se ju mund ta emëroni ndonjë rrugë, ose një obelisk me emra të aktorëve të cilët kanë qenë themelues. U pajtua, por nuk e di a do ta mbajë fjalën”, thotë Mikullovci.
Teksa qëndron pranë varrit të ish- bashkëshortit të saj, i cili ka marrë një pamje krejtësisht tjetër, dinjitoze ashtu siç ishte dhe vet Adem Mikullovci, bashkëshortja e tij Lumnija mes dhimbjesh për mungesën e tij, tregonte me krenari foton e cila qëndronte pranë varrit, me të cilin dukej sikur fliste vërtetë.