Etrit Jashari zbulohet si i përfshirë edhe në mashtrimin e 130 mijë eurove me Western Union në Malishevë
Rasti që tronditi opinionin pak ditë më parë, ku Etrit Jashari (rreth 31-vjeçar) u arrestua për dhunimin dhe grabitjen e një 28-vjeçareje në Malishevë, ka marrë dimensione të reja. Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Jashari është i përfshirë edhe në një rast tjetër të rëndë penal – atë të “Detyrimit”.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se Jashari dyshohet se ka pasur rol të drejtpërdrejtë në rastin ku Ervise Morina, punëtore në një pikë të Western Union në Malishevë, ka përvetësuar në mënyrë sistematike dhe të fshehtë një shumë që arrin deri në 130 mijë euro nga punëdhënësja e saj Vjollca Kryeziu.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se Jashari e ka detyruar Morinën që për një periudhë të gjatë të keqpërdorë pozitën, duke i marrë paratë përmes presionit dhe kontrollit psikologjik.
Kjo ka ngritur një dilemë të re serioze për hetuesit:
A ishte denoncimi për dhunim dhe grabitje ndaj 28-vjeçares një akt i vërtetë, apo një manovër për të larguar vëmendjen nga afera financiare me Ervise Morinën?
Për këtë vepër të re penale, Jashari është ndaluar për 48 orë, ndërsa dosja e tij tashmë përmban akuza për dhunim, grabitje dhe detyrim – të gjitha me rrethana rënduese dhe pasoja të thella për viktimat.
Rasti është duke u hetuar në dy pista paralele nga autoritetet: ajo e shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të besimit dhe tjetra, që lidhet me sulmin seksual dhe grabitjen, për të parë nëse kemi të bëjmë me një përbindësh që ndërton skema me dhunë dhe manipulim, apo me një rrjet më të gjerë të mashtrimit dhe zhvatjes.
Sinjali do të ndjekë nga afër çdo zhvillim të këtij rasti që po merr përmasat e një skandali të shumëfishtë.