Emrat e tre të arrestuarve për bixhoz të paligjshëm në Deçan, dy prej tyre rreth 70-vjeçarë
Më herët u raportua për një aksion të Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë të zhvilluar në fshatin Carragabreg i Epërm të Deçanit, e që rezultoi me arrestimin e tre personave të dyshuar për bixhoz të paligjshëm. Tre të dyshuarit u kapën në një lokal, ku dyshohej se organizoheshin lojëra të fatit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se personat që u arrestuan në lidhje me këtë rast janë I.K(68-vjeçar), H.L (42-vjeçar) dhe S.K (69-vjeçar), të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Ashtu siç u raportua, ata u kapën pas mesnatës në këtë fshat, edhe pse fillimisht tentuan të ikin dhe të fshehën, por pa sukses. Njëri nga të dyshuarit u kap në brendësi të lokalit, teksa dy të tjerët përkundër që tentuan të shpëtonin nga prangat duke u fshehur në tarracë, Policia i arrestoi.
Gjatë kontrollit policor në lokal, zyrtarët policorë kanë gjetur letra bixhozi, çipa e pajisje që përdoren për t’i organizuar këto lojëra.
Pas përfundimit të bastisjes dhe arrestimit të të dyshuarve, ata u dërguan në stacion policor, ku u intervistuan për veprën me të cilën ngarkohen.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që tre të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë dhe të hetohen për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se aktivitetet e tilla po vazhdojnë të lulëzojnë në Kosovë edhe pse janë të ndaluara me ligj që nga viti 2019.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.