Dhunë në familje dhe armë pa leje në Drenas – Arrestohet burri që kërcënoi gruan dhe mbante pushkë artizanale

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë i dhunës në familje ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 31 majit në fshatin Nekoc të komunës së Drenasit, ku një burrë ka përfunduar në pranga, pasi dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten dhe posedonte një armë pa leje.

Burimet e Sinjalit brenda Policisë bëjnë me dije se rreth orës 07:00, viktima I.C, me banim në Nekoc, ka raportuar në polici për dhunë nga bashkëshorti i saj, Fatmir Shabani, 54 vjeçar.

Sipas deklaratës së saj para hetuesve të njësisë për dhunë në familje, Shabani e kishte ofenduar rëndë dhe e kishte kërcënuar me jetë, duke i thënë: “Me ardh Policia ketu edhe ti me shku ne polici, ti nuk kthehesh ma ketu te une”.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe shoqërimit të palëve në stacion, gjatë intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar në pronësi të tij një pushkë gjuetie, si dhe 14 fishekë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për dhunë në familje, Fatmir Shabani është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar procedura penale për veprat “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Lexo edhe:  Kur pritet të bie borë në Kosovë sipas Institutit Hidrometeorologjik