Efekti i diasporës: Javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë 374 mijë qytetarë, veç në fundjavë mbi 200 mijë
Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës, të nxjerra nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar dhe raportimet e pranuara nga rajonet përkatëse, për një javë janë regjistruar gjithsej 374 mijë e 864 hyrje të qytetarëve në Republikën e Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.
Me ardhjen e diasporës në Kosovë, është rritur edhe fluksi i hyrjeve, me intensitet më të madh në ditët e fundit të javës.
Nga Policia e Kosovës në një përgjigjje për Gazetën Online Reporteri.net kanë thënë se kulmi i hyrjeve është shënuar gjatë vikendit, ditët – premte, shtunë, diel – ku në Kosovë kanë hyrë 213 mijë e 751 qytetarë
Më 15 dhe 16 dhjetor 2025 janë regjistruar 74 mijë e 560 qytetarë që kanë hyrë në Kosovë, duke vazhduar me një rritje progresive nga dita në ditë.
Më 17 dhjetor kanë hyrë 39 mijë e 920, ndërsa më 18 dhjetor janë evidentuar mbi 46 mijë e 633 hyrje.
Krahas festave të fundvitit, Kosova mban zgjedhjet nacionale më 28 dhjetor, gjë që ka shtuar edhe më shumë numrin e qytetarëve nga diaspora të ardhur në Kosovë. Se ka numër të madh e tregonin edhe pritjet disa orëshe në pikat kufitare në hyrje të Kosovës, ku Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar raportonte gjatë kësaj jave për kolona të gjata.
Sipas të njëjtave të dhëna zyrtare të Policisë së Kosovës për Gazetën Online Reporteri.net, gjatë periudhës 15–21 dhjetor 2025 janë regjistruar gjithsej 254,661 dalje të qytetarëve nga Republika e Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.
Të dhënat tregojnë se numri i daljeve ka qenë më i ulët krahasuar me hyrjet në periudhën e njëjtë.
Më 15 dhe 16 dhjetor 2025 janë evidentuar gjithsej 64 mijë e 402 qytetarë në dalje, ndërsa më 17 dhe 18 dhjetor janë regjistruar përkatësisht 34 mijë e 391 dhe 34 mijë e 721 qytetarë në dalje.
Fluksi më i lartë i daljeve është shënuar më 21 dhjetor 2025, kur nga Kosova kanë dalë 44 mijë e 629 qytetarë, ndërsa një ditë më herët, më 20 dhjetor, janë regjistruar në dalje 37 mijë e 124 qytetarë.

