E vranë veterinerin dhe ia morën veturën, detaje nga organizimi i sulmit në Turqi

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi terrorist që tronditi mëngjesin e kësaj të diele Ankaranë, ku një kamikaz hodhi veten në erë dhe një tjetër u neutralizua nga forcat e sigurisë teksa mësynë godinën e Ministrisë së Brendshme turke.

Media turke SABAH raporton se dy terroristët kanë vjedhur automjetin që përdorën për sulmin në fshatin Çataloluk të provincës Kayseri, nga veterineri Mikail Bozlağan.

Sipas kronologjisë së ngjarjes dy terroristët i kanë bllokuar rrugën veterinerit, e kanë vrarë duke e qëlluar me armë në kokë dhe më pas e kanë tërhequr zvarrë për ta hedhur në një kanal.
Mikail punonte si veteriner në qytezën Bakırdağı, e cila ndodhet 7 kilometra larg vendit ku terroristët i zunë pritë dhe mjeti që përdorte ishte në pronësi të Shërbimit Veterinar dhe Blegtorisë.

Duke folur për SABAH, kryeplaku i fshatit Çataloluk, İsmail Yıldırım deklaroi se incidenti ndodhi rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të shtunës.

“Terroristët ndaluan automjetin e veterinerit Mikail Bozlağan në afërsi të fshatit Avlağa. Ata e vranë Mikailin dhe i vodhën automjetin e tij, duke e lënë të vdekur në një kanal në anë të rrugës. Babai e gjeti trupin e djalit të tij duke ndjekur gjurmët e gjakut në rrugë”, tha ai.

Yıldırım deklaroi se fshati i tyre është shumë pranë maleve Demi në kufirin e Adanas.

“Ne kërkuam automjetin e Mikailit në pyll, por nuk e gjetëm. Terroristët erdhën në këmbë nga zona e pyllit. Nga kamerat e fshatit tonë u pa se automjeti i Mikailit hynte por nuk dilte. Terroristët dolën jashtë rrugës për të mos u kapur nga kamerat. Fshati ynë është një zonë e pyllëzuar dhe malor në fund të maleve të Demit”, shtoi ai.

Lexo edhe:  Vdes një femër në shtëpinë e pleqve

Ndërkohë, si pasojë e sulmit ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë Ercan Karabaş, që ka marrë plumba në të dyja këmbët dhe kolegu i tij Halim Reis si pasojë e goditjes së predhave në gjoks dhe këmbën e djathtë.

Sulmi ndodhi në ditën kur do të niste punimet Parlamenti turk, që do të hapte vitin e ri legjislativ pas një pauze prej dy muaj e gjysmë.