E trishtë: Ky është 87-vjeçari që vdiq pasi u godit nga vetura në Kllokot – sot i jepet lamtumira e fundit
Gazeta Sinjali raportoi sot për një aksident me pasojë vdekje që ka ndodhur pasditen e së premtes në magjistralen Ferizaj–Gjilan, saktësisht në fshatin Kllokot.
Siç mësoi Sinjali, në aksident ishte i përfshirë një automjet transportues të tipit Citroen Berlingo, me drejtues Drilon Frangu, rreth 34-vjeçar, i cili dyshohet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë kushteve të rrugës, ka goditur këmbësorin Mustafa Zeqiri, rreth 87-vjeçar.
Sipas hetimeve të para, këmbësori ishte duke kaluar rrugën kur është përplasur nga automjeti.
Fillimisht, viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku mori tretman mjekësor, por rreth orës 20:45 ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda.
Lamtumira e fundit për të ndjerin do të bëhet sot , në ora 17:00, pas faljes së namazit të Ikindisë, në varrezat e fshatit Ballancë.