E telefonoi Policinë dhe raportoi rrejshëm për vrasje në Ramoc të Gjakovës, zbulohet i dyshuari

Raportimi i një rasti të vrasjes në fshatin Ramoc të Gjakovës nga një qytetar aktivizoi pasditen e sotme njësitë policore për të intervenuar në incidentin që fillimisht dyshohej se kishte përfunduar tragjikisht.

Policia zbarkoi menjëherë në fshatin ku ishte dhënë informacioni për vrasje, por pas veprimeve të ndërmarra, gjithçka doli të jetë rrenë.

Një telefonatë nga një qytetar, i cili posa raportoi rastin s’u bë më i gjallë, vuri në lëvizje Policinë, me ç’rast disa njësi dolën në vendin ku denoncuesi tha se ishte vrarë një person.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pasi Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, kanë tentuar të marrin informacione nga banorët e fshatit Ramoc, por askush nuk ka qenë në dijeni për një incident të tillë.

Ndonëse, asgjë s’ishte e sigurt, hetuesit policorë nisën hetimin e rastit, për të konfirmuar informacionet që më pas dolën të rrejshme.

Si rezultat i hetimit preliminare, pas verifikimit të numrit që ka telefonuar Policinë dhe personit që dyshohet se deklaroi rrejshëm, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se ndaj personit të dyshuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Deklarim i rremë”

Lexo edhe:  Fillon marshi për 18-vjeçarin e vrarë në Podujevë