E rëndë: Vdes 4 vjeçari shqiptar në një aksident në Zvicër
Një aksident trafiku me pasoja tragjike ndodhi pak para orës 19:00 të së hënës në rrugën Stahlstrasse, në St. Gallen të Zvicrës. Një 44-vjeçar gjerman, duke drejtuar furgonin e tij të bardhë Mercedes drejt Zürcher Strasse, në zonën e Feldbachstrasse, përplasi një fëmijë 4-vjeçar, shtetas austriak, në një zonë banimi me kufizim shpejtësie prej 30 km/orë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
Fëmija, i identifikuar si Dardan*, pësoi lëndime të rënda. Policia dhe kalimtarët ia dhanë ndihmën e parë në vendngjarje deri në mbërritjen e ambulancës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai vdiq dy orë më vonë në Spitalin e Fëmijëve.
Dëshmitarët përshkruajnë skenat dramatike. Një banore e zonës tha për mediat: “Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e lënduar rëndë, ndërsa e ëma bërtiste me dëshpërim. Ishte një tragjedi e vërtetë”.
Një tjetër banor, Xhevdet V.**, tregoi se ka ndihmuar në përpjekjen për ta mbajtur fëmijën në jetë: “Babai e mbante në krahë. E shtriva përtokë, ia vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë reanimacionin, por fatkeqësisht gjithçka ishte e kotë”.
Blendi V.** (22) konfirmoi se shoferi reagoi menjëherë duke telefonuar shërbimet emergjente dhe duke ofruar ndihmë. “Shoferi dhe gruaja e tij ishin në shok të plotë”, tha ai.
Policia e St. Gallen ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë që mund ta kenë parë momentin e përplasjes. Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal, ku banorët shprehin shqetësime për sigurinë e rrugës dhe kërkojnë ulje të kufirit të shpejtësisë.