E rëndë në Lipjan: Vjehrri sulmon fizikisht nusen pasi nuk i pastroi xhamat me leckën që i tha ai

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në Lipjan, ku një grua e ka denoncuar vjehrrin e saj për dhunë, duke raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga ai.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 43-vjeçarja ka thënë në Polici se incidenti ka ndodhur teksa ajo po pastronte xhamat e banesës.

Sipas saj, në atë moment, babai i bashkëshortit të saj, i ka kërkuar që të mos përdorë leckën që kishte, por një tjetër. Nga ky shkak, mes tyre ka nisur një mosmarrëveshje, e cila ka eskaluar në dhunë fizike.

Sipas viktimës, i dyshuari e ka goditur disa herë në trup, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se ai kishte në dorë një thikë kuzhine, por nuk e ka përdorur gjatë incidentit.

Lidhur me rastin është njoftuar hetuesi i dhunës në familje si dhe prokurori i shtetit.

Hetimet fillestare në lidhje me këtë ngjarje kanë filluar, ndërsa rasti është inicuar si “Dhunë në familje”.

Ndërkaq, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Ndalohen tre zyrtarë të Postës në Kaçanik, dyshohen për falsifikim të dokumentit zyrtar