E rëndë në Lipjan: Vajza 22-vjeçare e kërcënon nënën me vrasje, tenton edhe ta rrah

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Lipjan, ku një vajzë 22-vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.

Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija e ka kërcënuar me vrasje dhe ka tentuar që ta sulmojë fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.

Bazuar në dëshminë e saj, konflikti mes tyre ka plasur për shkak se viktima e ka kontrolluar telefonin e vajzës dhe aty plasi sherri.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarën dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E rëndë: Djali në Mitrovicë rrah brutalisht prindërit, babait ia thyen këmbën