E rëndë në Gjakovë: Nxënësi i ‘Hysni Zajmi’ ther shokun e tij me thikë, thotë se ndodhi aksidentalisht

Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve, por ka herë kur ndodh që aksidentalisht shkaktojnë lëndime te personat e tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Hysni Zajmi’ në Gjakovë, ku një i mitur është therur me thikë nga shoku i tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë kanë bërë me dije se 16-vjeçari është dërguar atje me plagë që i janë shkaktuar nga goditjet me thikë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të miturit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë dëshmitë e të dyshuarit dhe viktimës.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, dy të miturit kanë pohuar se janë shokë të ngushtë dhe gjithçka ka ndodhur aksidentalisht derisa po luanin në klasë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është personi që dyshohet se u godit qëllimisht për vdekje në Pejë