E rëndë: Djali 23-vjeçar rrah me grushte nënën e tij, ajo detyrohet të kërkojë ndihmë nga Policia
Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë ka ndodhur edhe të shtunën pasdite në Duraj të Kaçanikut.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij në shtëpinë e tyre, të cilën e ka rrahur derisa ka ndërhyrë një familjar dhe e ka ndaluar, teksa është njoftuar edhe Policia.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka intervenuar duke e arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është intervistuar dhe është përballur me pretendimet e nënës së tij për dhunën e ushtruar, ndërsa ende nuk dihet motivi dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.