E rëndë: Burri në Prishtinë rrah brutalisht bashkëshorten në sy të fëmijëve, e kap për fyti dhe e shqelmon

Gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në Kosovë. Ato shpesh rrahen e kërcënohen edhe në sy të fëmijëve, nga bashkëshortët të cilët kanë frikë t’i denoncojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur që dy ditë radhazi në një familje në rrugën “UÇK” në Prishtinë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili ka ushtruar edhe dhunë ne sy të fëmijëve të tyre, duke iu shkaktuar frikë e shqetësim.

I dyshuari B.S., po dyshohet se përveç dhunës që ka ushtruar, edhe i ka kërkuar bashkëshortes të largohet nga shtëpia.

Bazuar në dëshminë e viktimës, burri i saj e ka kapur për fyti, duke e goditur edhe me shqelma, eskalim ky që nuk kishte ndodhur më parë në familjen e tyre.

E shokuar për situatën që ndodhi dhe e frikësuar nga e keqja që mund t’i ndodhte asaj dhe fëmijëve, viktima ka arritur të largohet nga shtëpia dhe ta njoftojë Policinë.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili e ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj gruas.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Në anën tjetër, viktima është dërguar te familja e saj ku ndihet më e sigurt dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës, me shpresën se telashet do të mbarojnë.

Lexo edhe:  Vetura me vlerë mbi gjysmë milioni, ky është i riu në Kosovë që e posedon të vetmen në Ballkan