E rëndë: Burri në Ferizaj dyshohet se e shtyti në vetëvrasje ish të dashurën, tentoi t’i jap fund jetës pasi e rrahu
Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt.
Të afërmit e viktimave janë ata që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur dje në një banesë në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ku një vajzë tentoi t’i jap fund jetës së saj, duke konsumuar një sasi të madhe të medikamenteve.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër posa i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Sipas informacioneve të para, motivi që e shtyu vajzën që të tentojë t’i jap fund jetës ishte një konflikt me ish të dashurin e saj.
Sinjali mëson se i dyshuari D. Ahmeti, i kishte shkuar viktimës te banesa dhe është kapur me të – e madje ka eskaluar edhe në dhunë fizike, duke e rrahur.
Shoqja e viktimës ishte ajo që e shpëtoi dhe arriti ta ndalojë të dyshuarin, i cili më pask është zhdukur prej aty.
Pasi Policia është njoftuar për rastin, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ndaj burrit të dyshuar, i cili do të hetohet për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje” – ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e tij.