E rëndë: 15-vjeçarja në Kaçanik gjendet e ngujuar në një banesë, dyshohet se u dhunua seksualisht

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e mitura, ndërsa shpesh të dyshuar, janë persona të moshës madhore, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur në Kaçanik, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar seksualisht dhe e njëjta më pas ka mbetur e mbyllur në një banesë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mëngjesin e sotëm, e mitura është gjetur e ngujuar në një banesë. Njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku me anë të përdorimit të forcës kanë arritur që të depërtojnë brenda hapësirës ku ndodhej vajza dhe e njëjta është nxjerrë jashtë.

E mitura është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, 15-vjeçarja ka deklaruar se ka qenë e mbyllur në atë banesë që nga mbrëmë, pasi ishte takuar me një person të moshës madhore, e me të cilin dyshohet se ka kryer edhe marrëdhënie seksuale me pëlqimin e saj.

22-vjeçari është shoqëruar po ashtu në Polici, ku gjatë intervistimit nga hetuesit policorë ka deklaruar se me të miturën janë takuar në orët e para të mëngjesit dhe më pas me pëlqimin e të dyve kanë vazhduar në banesën në fjalë, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Bazuar në dëshminë e të dyshuarit, ai e ka kyçur me çelës banesën ku ndodhej e mitura me kërkesën e saj, pasi sipas tij, ajo donte të pushonte.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Privim i kundërligjshëm nga liria’.

Lexo edhe:  KOSTT: Nga sot rryma në veri do të paguhet njësoj si në gjithë Kosovën

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet.