E pengoi në telefon e më pas u fjalosën, vajza në Prishtinë çon në Polici babanë – thotë se ia përgjaku hundët

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në një familje në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se vajza e familjes ka denoncuar në Polici babanë e saj, për të cilin është ankuar se e ka sulmuar fizikisht dhe i ka shkaktuar lëndime trupore.

Bazuar në dëshminë e 20-vjeçares dhënë organeve të hetuesisë, gjithçka ka nisur pasi babai e saj e kishte penguar derisa ajo ishte në telefon. Në momentin që me tone të larta të zërit e ka pyetur se çfarë e ka thirru, babai i saj dyshohet se e ka qëlluar me shuplakë dhe asaj kanë filluar t’i rrjedh gjak nga hunda.

Si pasojë e kësaj, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.

Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar në cilësinë e dëshmitares edhe motra e viktimës, e cila ka mohuar që babai i saj të ketë goditur viktimën. Madje sipas saj, motra ka pasur sjellje agresive ndaj babait.

Viktima ka kërkuar që të shkojë në strehimore, ndërsa babai i saj do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Aksioni i Antidrogës në Prizren, kapen rreth 60 kg marihuanë, arrestohen katër persona