E mitura ngelet shtatzënë nga bashkëjetesa me një 19-vjeçar, rasti zbulohet pasi dërgohet në spital

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohet nga QKUK-ja apo spitalet rajonale për të miturat që dërgohen në këto institucione shëndetësore për të marrë tretman mjekësor apo për të lindur. Të miturat kryesisht kapen duke bashkëjetuar me persona të moshës madhore apo edhe me bashkëmoshatarë të tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Kaçanik, pasi një e mitur kishte ngelur shtatzënë nga bashkëjetesa me një 19-vjeçar.

Sinjali mëson se e mitura, e moshës 15-vjeçare ka nisur lidhjen e dashurisë me të dyshuarin qe disa muaj dhe më pas ka mbetur shtatzënë.

Detajet e rastit u zbardhën pasi vajza u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor për shkak se gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar.

Hetuesit policorë kanë intervistuar edhe 19-vjeçarin, i cili ka dhënë deklaratën e tij në cilësinë e të dyshuarit, ku ka pranuar se për lidhjen e tyre kanë qenë në dijeni dy familjet.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën ‘Bashkëjetesë me personin nën moshën 16-vjeç’.

Lexo edhe:  Ndërron jetë një 64-vjeçar në Prizren, u godit nga një veturë