E mitura nga Suhareka që dyshohet se u dhunua dërgohet në strehimore, 21-vjeçari ndalohet për 48 orë

Gazeta Sinjali raportoi sonte për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Njëri prej tyre tashmë është arrestuar, teksa kanë nisur hetimet për t’i zbardhur rrethanat e rastit.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është iniciuar dhe po vazhdojnë hetimet për ta identifikuar edhe të dyshuarin e dytë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Durak Daka, rreth 21-vjeçar, ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Ndërsa viktima e mitur, pasi është intervistuar është dërguar në strehimore, duke mos pranuar që të kthehet në shtëpinë e saj.

Çka dihet për ngjarjen e trishtë?

Siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi  13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.

Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Të njëjtit dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Lexo edhe:  Kurti përmend Thaçin: Po të mos ishte letra e tij, ushtria e Kosovës sot do të ishte në veri

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat njëri prej tyre është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.