E konfirmon Policia: Një qytetar u mashtrua nga dikush duke u thirrur në emër të Veton Elshanit, i dërgoi 1000 euro me “Western Union”
Policia e Kosovës ka konfirmuar një rast mashtrimi të raportuar sot në Zubin Potok, ku një qytetar ka dërguar 1.000 euro përmes “Western Union”, pasi ishte kontaktuar nga një person i panjohur që ishte prezantuar rrejshëm si zëvendësdrejtori i DRP Mitrovicë Veri, nënkolonel Veton Elshani.
Rasti është paraqitur në orën 09:20, ku viktima ka njoftuar se pas dërgimit të shumës së parave në Bosnje e Hercegovinë, i dyshuari ka ndërprerë komunikimin. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mashtrim”, ndërsa njësitë përkatëse policore kanë nisur hetimet.
Policia ka bërë të ditur se raste të ngjashme mashtrimesh me thirrje të rrejshme në emër të nënkolonelit Elshani janë raportuar edhe më parë, si në jug ashtu edhe në veri të Kosovës.
Autoritetet apelojnë tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike apo përmes mesazheve të dyshimta, të cilat kryesisht raportohen nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
“Mos u besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë dhe kërkojnë para. Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve të pasigurta. Çdo rast të dyshimtë raportojeni menjëherë në Policinë e Kosovës. Siguria juaj është prioriteti ynë”, thuhet në reagimin e policisë.