E kërcënoi babain me fjalët “Ka me të vra” – ndalohet 48 orë djali në Fushë Kosovë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur të shtunën paradite në Fushë Kosovë, ku një burrë ka kanosur dhe fyer rëndë prindin e tij në një hapësirë publike.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se incidenti ndodhi më 5 korrik 2025 rreth orës 10:30, në parkingun e pikës së derivateve “Kastrati” në rrugën “Nëna Terezë”. I dyshuari, E. V., 36 vjeçar, sipas dëshmive, i është drejtuar babait të tij, R.V., 64 vjeçar, me fjalët kërcënuese “Ka me të vra”, duke e shoqëruar këtë edhe me fyerje dhe sharje të rënda.
Policia ka intervenuar menjëherë duke e shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor në Fushë Kosovë.
Gjatë verifikimit është konstatuar se i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit, ndaj është mbajtur për disa orë derisa është intervistuar në praninë e avokatit.
Me urdhër të Prokurorit të Dhunës në Familje, është iniciuar rasti penal “Dhunë në familje” dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me dërgim në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.