E kanosi bashkëshorten, gjakovarit i gjenden AK-47 dhe qindra fishekë – arrestohet

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Gjakovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Osek Pashë të Komunës së Gjakovës.

Gjatë hetimeve që pasuan denoncimin, njësitë policore kanë kryer një kontroll në banesën e të dyshuarit – shtetas i Republikës së Kosovës dhe person i moshës madhore – ku kanë zbuluar armë pa leje.

Sipas Policisë, në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar: Një pushkë automatike e llojit AK-47, me dy karikatorë dhe 566 fishekë; një pistoletë me tre karikatorë dhe 31 fishekë.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar rast penal për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Mbulohet me dhe 18 vjeçari që e mbytën duke e rrahur