E gjithë zënka nisi për shitblerjen e një traktori, zbulohet identiteti i të dyshuarit për plagosjen e 53-vjeçarit në Podujevë

Sinjali paraditen e sotme ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Siboc të Podujevës, ku si pasojë e një përleshjeje, ka mbetur i plagosur me armë zjarri një 53-vjeçar.

Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari që ka rënë në prangat e Policisë është Ejup Behrami, 49-vjeçar.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas konfliktit për shitblerjen e një traktori, ku më pas situata ka eskaluar në përleshje fizike.

Përpos 53-vjeçarit i cili mori dy plagë nga shkrepja e armës, të lënduar kanë mbetur edhe tre persona tjerë, përfshirë edhe një të mitur dhe vetë të dyshuarin Behrami.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkohë që Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar te Behrami një armë me një karikator, e cila dyshohet se u përdor në rast, ndërsa në vendngjarje është gjetur një gëzhojë, një shkop druri dhe një mjet bujqësor.

49-vjeçari është shoqëruar në stacion dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Era shemb minaren e xhamisë në Turqi