E dhimbshme: Vdes në QKUK edhe një ri pas aksidentit në Fushë Kosovë

Hetimet për aksidentin ku u përfshinë disa vetura mbrëmjen e së shtunës në Fushë Kosovë janë zgjeruar dhe rasti tashmë është në dorë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin që rezultoi të jetë fatal është një zyrtar policor. Pesë persona mbetën të lënduar, ku njëri tyre humbi jetën dje.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00 të së shtunës ku janë përfshirë katër automjete. Të lënduarit janë dërguar atë natë për tretman mjekësor, por njëri prej tyre fatkeqësisht vdiq si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sinjali ka mësuar se i riu që ndërroi jetë dje në QKUK është Shefqet Salihu, rreth 33-vjeçar.

Me të marrë informatën nga Policia, IPK është aktivizuar në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.

Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar dje nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht se bëhet fjalë për Tarik Kurgas, rreth 21-vjeçar, të cilit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Nga IPK kanë bërë me dije se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me Prokurorinë.

Lexo edhe:  Ndërron jetë burri nga Rahoveci, u godit nga rrufeja pak ditë më parë