E dhimbshme: Ndërron jetë në QKUK 45-vjeçarja që u godit nga vetura 6 ditë më parë
Një aksident i rëndë trafiku kishte ndodhur mbrëmjen e 9 dhjetorit në rrugën ‘Hasan Prishtina’ në Obiliq.
Një veturë që po drejtohej nga një 26-vjeçar kishte goditur një grua bashkë me vajzën e mitur, duke i lënë ato në gjendje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
45-vjeçarja bashkë me 13-vjeçaren u dërguan me urgjencë në spital, ku po trajtoheshin në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 45-vjeçarja nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme.
Sipas njoftimit të familjarëve, trajtimin mjekësor në QKUK po e vazhdon vajza e mitur e cila po ashtu ka marrë lëndime të rënda trupore si pasojë e aksidentit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.