E dhimbshme: Ky është i riu që vdiq në QKUK rreth 2 javë pasi u sulmua në trafik në Fushë Kosovë

Pas rreth dy javësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka humbur jetën i riu që pësoi lëndime të rënda trupore, pasi u sulmua nga një person në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë. Vdekja e tij ka tronditur familjen, ndërsa Policia tashmë është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se personi që vdiq teksa po trajtohej në QKUK është Rushit Konushevci, rreth 28-vjeçar.

I riu është trajtuar në Intensiven Qendrore në QKUK, ku përkundër intervenimeve të ekipit mjekësor, nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve që ka pësuar.

Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia ka arrestuar personin që dyshohet se i shkaktoi lëndime të rënda viktimës, më 12 dhjetor, pas një mosmarrëveshje në komunikacion.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lexo edhe:  Gjyshi nga Mitrovica lajmëron Policinë se i është zhdukur mbesa, nuk është kthyer në shtëpi qe 3 ditë