E bleu në Durrës për 100 euro, tifozi turk kapet në kufi me Kosovën me 40 gramë drogë
Një shtetas i huaj është arrestuar në pikën kufitare të Vërmicës, pasi është kapur me substancë narkotike gjatë hyrjes në Kosovë.
Siç raporton Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 29 mars 2026 rreth orës 17:00, kur autobusi i kompanisë “Auloni Tours”, që po hynte nga Shqipëria në Kosovë, është ndaluar për kontroll rutinë.
Sipas informatave, gjatë verifikimit të dokumenteve, zyrtarët policorë kanë ndjerë aromë të dyshuar të marihuanës nga pjesa e përparme e autobusit, çka ka ngritur dyshime për posedim të narkotikëve.
Pas selektimit në vijën e dytë dhe kontrollit të detajuar, në çantën e të dyshuarit Dogukan Dycgyn Keles është gjetur një sasi marihuane prej rreth 40 gramësh.
I dyshuari, shtetas gjerman me prejardhje turke, ka deklaruar se kishte ardhur në Kosovë për të ndjekur një ndeshje futbolli Kosovë–Turqi, ndërsa substancën narkotike, sipas tij, e kishte blerë në Durrës për rreth 100 euro dhe e posedonte për përdorim personal.

