E bëri shqiponjën, garuesi i Kosovës diskualifikohet në garën në Mal të Zi
Shkëlzen Goqi ishte njëri prej pjesëmarrësve në garën e kërcimeve në ujë nga “Ura e Vezirit” në Podgoricë të Malit të Zi. Gara është mbajtur të shtunën, ndërsa Goqi para se të bënte kërcimin e bukur, bëri figurën e shqiponjës dykrenare.
Nga shikuesit, që ishin të shumtë, janë dëgjuar fishkëllima. Ndërkohë Goqi i cili është nga Gjakova, që është i njohur për kërcimet nga lartësia, është diskualifikuar nga gara tradicionale.
Për këtë kanë shkruar të gjitha mediat në Mal të Zi.
Veprimi i zakonshëm i sportistëve shqiparë me simbolin e flamurit, nga një pjesë e shikuesve, por edhe nga pjesëmarrës të tjerë dhe organizatorë, është parë si provokim.
Vetë Goqi për KOHËN ka konfirmuar se erdhi te një incident pasi ai bëri figurën e shqiponjës dykrenare, që tashmë e bëjnë shumë e shumë sportistë shqiptarë, sidomos kur festojnë një sukses.
Garat e kërcimit në ujë nga “Ura e Vezirit” janë mbajtur për herë të parë pas 15 vjetësh. Garën e fitoi Edvald Krniq dhe ai ka thënë se e ka iniciuar diskualifikmin e Goqit.
Figurën dykrenare, mediat e Malit të Zi e kanë vlerësuar simbol të “Shqipërisë së Madhe” dhe veprimin e garuesit kosovar si “provokim ndaj një pjese të publikut”.
“Menjëherë kam intervenuar te juria profesionale që mori vendimin për diskualifikimin e tij. Ai më pas mori ndalesë nga garat e këtij lloji në Podgoricë”, ka thënë Krniq për gazetën “Pobeda”.
Edhe sekretari për sport i Podgoricës, Darko Nikçeviq, ka konfirmuar diskualifikimin.
“Është e vërtetë që gjatë paraqitjes së njërit prej garuesve edhe te një gjestikulacion i papërshtatshëm, kur me shfaqjen e shqiponjës dykrenare ka thyer rregullat e sjelljet në ngjarjet sportive. Ka reaguar juria, që mori vendim për diskualifikim të garuesit, tërësisht në bazë të thyerjes së rregullave të manifestimit, që qartë nuk lejojnë shfaqjen e simboleve dhe porosive të papërshtatshme politike, nacionale dhe të natyrave tjera”, ka thënë Nikçeviq.
Në fakt nuk ka rregulla që ndalojnë festimin apo shfaqjen e figurës së shqiponjës dykrenare, e po ashtu që shqiponja është provokim për të tjerat.
Në garat tradicionale të kërcimeve në ujë shpesh nuk ka rregulla të shkruara, sidomos për mënyrën se si paraqiten pjesëmarrësit. Kryesisht veprohet nga bazë të qëndrimit të organizatorëve dhe jurisë.
Suspendimi i garuesit të Kosovës është dëshmi që ndikimi i serbëve në Mal të Zi vazhdon të jetë i madh.
“E kam përshëndetur publikun dhe e kam bërë shqiponjën. Aty është acaruar publiku serb që ishte prezent. Malazezët e shqiptarët jo. E bëra hedhjen në lartësi 27 metra dhe ishte kërcim perfekt. E kisha edhe një kërcim tjetër. U drejtova tek ura për të bërë kërcimin e dytë, por aty ishin duke më pritur disa huliganë serbë. Më bënin me shenjë se do më prejnë në fyt e provokime të tjera të kësaj natyre. Edhe veshjet sportive i kisha me shqiponjë dhe kanë kërkuar që t’i heq. Natyrisht, as që jam lodhur për ta dhe për provokimet e tyre. Erdhi organizatori dhe më tërhoqi prej garës, ndërsa unë u takova me shokët e klubit, Florid Gashi e Vedat Krasniqi. Pos provokimit në urë nga serbët, çdo gjë ishte në rregull”, ka thënë Goqi për KOHËN.
Në Kosovë, e sidomos në Gjakovë, garat e kërcimeve nga lartësia në stil “dallëndyshe” janë goxha të popullarizuara. Bëhet fjalë për kërcime edhe të rrezikshme, që pëlqehen shumë në masë.
Në Podgoricë të shtunën u prit keq kombinimi i kërcimit “dallëndyshe” me figurën e shqiponjës.