E akuzoi për vjedhje 5 mijë euro – e kërcënon pronarin e autolarjes te HIB në Mitrovicë: “Ke me pasë telashe të mëdha nëse e lajmëron Policinë”

Një incident alarmues është shënuar në fshatin Shupkofc të Mitrovicës, ku një qytetar është kërcënuar seriozisht nga një klient, i cili e akuzoi për mungesë të sendeve në veturën e tij dhe e detyroi t’i “kthejë” 5000 euro.

Sinjali mëson se më 5 korrik 2025, rreth orës 14:30, viktima G.B., rreth 28-vjeçar, pronar i një autolarjeje në parkingun e HIB-Petroll, është kërcënuar nga një person i identifikuar si Berat Hasani, rreth 33-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda Policisë, Hasani kishte pastruar veturën në autolarjen e viktimës një ditë më parë. Por të nesërmen, ai ishte kthyer dhe e kishte akuzuar Brahimin se i mungonin sende në veturë me vlerë rreth 5000 euro.

Më pas, e kishte kanosur me fjalët: “Pare duhet me mi dhonë deri më 20 korrik, përndryshe nëse lajmëron Policinë ke me pasë telashe të mëdha”.

Rasti është raportuar në polici, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar është bastisur shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur ndonjë provë.

Më 11 korrik, Hasani është paraqitur vetë në stacionin policor, ku është intervistuar nga njësia e hetimeve. Pas intervistës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe rasti është iniciuar si vepër penale “Detyrim”.

Hetimet për këtë rast të rëndë janë duke vazhduar nga Prokuroria dhe Policia në Mitrovicë.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Burri e vrau gruan 63 vjeçare teksa ishte në gjumë, e goditi me sëpatë