Dyshohet se vodhi një palë atlete, dërgohet në mbajtje 47-vjeçari në Pejë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.

Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe me një person në qytetin e Pejës, i cili dyshohet se të dielën kishte vjedhur një palë atlete te një banesë në rrugën ‘Adem Jashari’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka identifikuar vetë të dyshuarin të cilin më pas e ka takuar rastësisht në rrugë dhe të njëjtin e ka ndalur.

Sipas deklaratës së viktimës, i dyshuari e ka pranuar se ka vjedhur atletet te banesa e tij dhe të njëjtat i ka shitur te një person i tretë.

Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 47-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Lexo edhe:  Shtohen patullimet e Policisë në disa rrugë të Prishtinës