Dyshohet se vodhën stoli ari në vlerë të 10 mijë eurove, arrestohen dy persona në Gjakovë
Dy persona janë arrestuar në Gjakovë, pasi të njëjtit dyshohet se janë të përfshirë në një rast të vjedhjes që kishte ndodhur më 11 maj në lagjen Dardania.
Përmes një njoftimi për media, Policia njofton se ata dyshohet se kishin vjedhur stoli ari në vlerë të rreth 10 mijë eurove.
“Më datën 11.05.2024, ankuesja femër kosovare ka raportuar në polici se persona të pa njohur kishin depërtuar brenda në shtëpinë e vëllait të saj, në lagjen “Dardania” në Gjakovë, dhe kishin vjedhur stoli të arit, sipas ankueses në vlerë prej rreth 10 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Siç njofton Policia, njëri prej të dyshuarve është I moshës së mitur dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa i arrestuari i dytë është I moshës madhore dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale’.
“Pas një hetimi të gjerë dhe intensiv nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, thuhet se janë siguruar informata dhe është arritur të identifikohen dhe arrestohen dy të dyshuar. “I dyshuari me inicialet V. A. mashkull kosovar i moshës së mitur, është arrestuar mbi dyshimin e arsyeshëm se kishte kryer veprën penale vjedhje e rëndë, ndërsa i dyshuari tjetër me inicialet Q. L., mashkull kosovar i moshës madhore është arrestuar mbi dyshimin e ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale të vjedhjes së raportuar”, thuhet në njoftim.