Dyshohet se vodhën një veturë në Istog, këta janë dy të rinjtë që përfunduan në pranga
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Të njëjtin fat e patën edhe dy persona në Istog, të cilët dyshohet se në bashkëkryerje kanë vjedhur një veturë pasditen e së martës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Kadri Vuthaj 21-vjeçar dhe Migros Haskaj 23-vjeçar, të cilët tashmë janë arrestuar nga Policia.
I pari që ra në prangat e Policisë, është Haskaj, i cili u ndal nga një njësi policore në fshatin Lubozhdë e ku gjatë kontrollit u zbulua se automjeti të cilin po e drejtonte është i vjedhur.
Vetura është sekuestruar, ndërsa 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe Vuthaj, i cili gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë, ka pranuar se në bashkëkryerje me Haskajn, kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.
Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.