Dyshohen për dhjetë vjedhje të rënda – Policia arreston dy persona, kërkon dy të tjerë
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për shtëpitë private, bizneset dhe jo vetë.
Për raste të tilla, zyrtarët policorë të stacionit të Fushë Kosovës, të mbështetur edhe nga Njësiti për Reagim të Shpejtë, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda.
Rastet kanë ndodhë në rajonin e Prishtinës, gjatë muajve të fundit në periudha të ndryshme kohore, kryesisht në markete, ku dyshohet se është përfshirë një grup prej katër personave të dyshuar.
Të arrestuar janë: E. O. mashkull, 45 vjeç, shtetas i Kosovës dhe M.M. mashkull, 32 vjeç, po ashtu shtetas i Kosovës.
Policia ka sekuestruar gjësende që dyshohet se janë vjedhur, si dhe katër automjete që dyshohet të jenë përdorë për kryerjen e veprave.
Personat e dyshuar me vendim prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë për së paku dhjetë raste të vjedhjeve të rënda.
Lidhur me këto raste policia ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar dhe është në kërkim të tyre.