Dyshimet për dallavere me vota në Mitrovicë: PDK-ja kërkon që të ketë rivotim

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në Mitrovicë të ketë rivotim.

Deputeti Përparim Gruda deklaroi se fletëvotimet janë bartur nga një klasë në tjetrën.

“Jam këtu për të shprehur shqetësimet e PDK-së, lidhur me dyshimet për cenimin e procesit zgjedhor në komunën e Mitrovicës. Procesi është shoqëruar me ndikim te votuesit, presion të madh. Kjo është vërejt edhe në ditën e votimit kur gjithë kabineti qeveritar ka qëndruar në Mitrovicë. Gjatë ditës së djeshme komisionerët tanë kanë vërejtur parregullësi të rënda, fletëvotimet e një klase janë gjetur në klasë tjetër, pra ka pasur bartje nga një klasë në klasën tjetër, e nga një shkollë në shkollën tjetër. Komisionerët e PDK-së kanë alarmuar organet e rendit dhe të drejtësisë, dy përfaqësuesit tanë në KQZ, kanë dalur në vendin e ngjarjes. Si pasojë, procesi i numërimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër, nga një shkollë në tjetrën, nuk ka guxuar të ndodhë sepse kjo bie ndesh qartazi me Ligjin për Zgjedhjet”, tha Gruda, raporton Nacionale.

Ai përmendi disa prej rasteve ku pati dallavere.

“Kodi që ndodhet në fletëvotime shërben si element identifikues, si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një klasë në klasën tjetër. Ky kod është element themelor i integritetit zgjedhor që mbron vullnetin qytetar nga keqpërdorimi, prandaj çështja e kodit nuk është çështje teknike, por çështje thelbësore, ligjore e përmbajtësore që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e votës dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor. Rastet konkrete me këtë parregullësi janë si në vijim: në Shollën Avdullah Shabani janë gjetur tri fletëvotime të klasës tjetër, në klasën tjetër në shkollën Avdullah Shabani është gjetur fletëvotim i shkollës Migjeni, e në shkollën Migjeni është gjetur fletëvotim i një klase tjetër. Ka fletëvotime të shumta që janë bartur”, tha Gruda më tutje.

Lexo edhe:  “Para katër dite të përcolla, e sonte me erdhi lajmi i kobshëm”, babai i mërgimtarit nga Skenderaj që vdiq papritmas njofton me fjalë prekëse

Gruda përmendi se si Mitrovica kishte shkuar në rivotim në vitin 2011. Andaj, ai theksoi se edhe tash duhet të ketë rivotim.

“Mitrovica është e vetmja komunë me dalje më të madhe se në rundin e parë, ju e dini që në vitin 2011, Mitrovica ka dështuar në rivotim, për shkak të dështimit të baterive. Këtë herë dështimi i KQZ-së është edhe më i madh, më serioz, e absolutisht ndikues në procesin zgjedhor. Të gjitha këto janë shkelje të qarta të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ngren dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor, dhe aktivzim të trenit bullgar, mekanizëm që mundëson blerjen e votës. Për ta vënë në funksion atë mekanizëm mjafton një fletëvotim, në këtë rast ka disa fletëvotime që janë gjetur. PDK-ja përveç denoncimeve të bëra dhe fakteve pranë organit të rendit, sot do të dorëzojë ankesë në PZAP, të cilit do t’ia bashkangjes të gjitha provat relevante nga ky manipulim, deklaratat e komisionerëve, dhe kërkojmë që kamerat të administrohen si prova pranë Prokurorisë”, tha Gruda.

“PDK vlerëson se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë. Janë shkelur ligji për Zgjedhjet dhe standardet e Venecias. Në këto kushte më lejoni të paraqes kërkesat e PDK-së: ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë menjëherë në rivotim, sepse janë disa shkelje të evidentuara. Vetëm një proces i drejtë dhe i pastër mund të garantojë legjitimitetin në këtë proces. PDK-ja siguron qytetarët e Kosovës se do të ndjek çdo rrugë ligjore që të garantojë qe e vërteta të dale në dritë, dhe çdo aktor që ka marrë pjesë në këtë manipulim të jap përgjegjësi”, tha ai.

Lexo edhe:  Detaje për operacionin kundër fajdes: Rreth 84 mijë euro dhe 20 vetura u konfiskuan gjatë bastisjeve në auto sallone