Dyshime se e tradhtoi, kosovari në Zvicër rrah gruan: Vendos ‘ta kthejë’ te babai i saj

Ideja se dikush tjetër mund të kishte prekur gruan e tij e kishte tërbuar atë. Ndaj vendosi në mes të natës që ta “ta kthejë” atë te “dërguesi”, gjegjësisht te vjehrri

Nëse një fustan ose veshmbathje tjetër e blerë online nuk ju shkon, ju e ktheni atë. Por, një punëtor hidraulik donte që po këtë ta bënte me gruan e tij. Qëndrimin e tij mizogjen e kishte shprehur me shuplaka dhe kërcënime.

Rasti ka filluar në një natë qershori të vitit të kaluar. Atë mbrëmje kishte ndodhur një sherr mes burrit dhe gruas së tij pasi ai dyshonte se ajo kishte një lidhje, transmeton albinfo.ch. Kur zbuloi mesazhe nga dashnori i supozuar në smartfonin e saj, ai doli fare nga vetvetja.

Burri donte t’ia kthente gruan vjehrrit

Kështu, ai e përplas gruan për tokë, e godet në fytyrë dhe e kërcënon se do t’i shpërfytyronte fytyrën me acid, shkruan zentralplus.ch. Ideja se dikush tjetër mund të kishte prekur “gruan e tij” e kishte tërbuar atë. Ndaj vendosi në mes të natës që ta “ta kthejë” atë te “dërguesi”, gjegjësisht te vjehrri.

Gjatë udhëtimit me veturë për në Cham, ata sërish debatuan. Kur gruaja deshi të largohet nga makina, ai goditi sërish në fytyrë. Megjithatë, ajo arriti të shpëtonte dhe mundi të merrte ndihmë.

Meqenëse dhuna në martesë është vepër penale, autori i dhunës ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare, edhe nëse nuk është bërë kallëzim penal, transmeton albinfo.ch. Por, procedura mund të ndërpritet nëse viktima e kërkon shprehimisht këtë. Dhe pikërisht kjo (pothuajse) ndodhi në këtë rast.

Gruaja fillimisht deklaroi mosinteresimin e saj për ndjekjen penale të të shoqit – por këtë e bëri vetëm sepse familja i bënte shumë presion në këtë drejtim. Procedimi penal më pas u pezullua, për momentin.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike në këto vende

Por, vetëm pak muaj më vonë gruaja arriti të shkëputej nga i shoqi dhe të vendosej në banesën e saj me fëmijët. Pasi kishte folur në departamentin e policisë së Zugut për dhunën në familje, ajo kishte sqaruar se tani donte që burri i saj të ndëshkohej. Me këtë, ajo shpreson se ndoshta ndëshkimi do ta pengojë atë nga terrorizimi i mëtejshëm që i bënte asaj. Që nga ndarja, ai e kishte kërcënuar vazhdimisht se do t’ia merrte fëmijët.

Zyra e prokurorit publik më pas ka rifilluar procedurën. Ajo ka dënuar të akuzuarin për sulme dhe kërcënime të shumta, përcjell albinfo.ch. Për shuplakat që i kishte dhënë gruas ai dënohet me gjobë me kusht prej 20 njësish ditore prej 100 frangash. 2000 frangat janë një mjet presioni: ai duhet t’i paguajë ato nëse kryen një delikt të ngjashëm brenda tre viteve.

Ai duhet të paguajë menjëherë një të ashtuquajtur “gjobë lidhjeje” (si vërejtje) prej 400 frangash. Zyra e prokurorit publik përdor një mjet të tillë nëse është e mendimit se një i akuzuar ka nevojë për përkujtim – dhe nuk duhet të shpëtojë pa një ndëshkim.

Në rastin konkret ai ngarkohet edhe me një gjobë prej 600 frangash për shkak të kërcënimit. Marrë në tërësi, kosovari duhet të paguajë një gjobë prej 1000 frangash plus 400 franga të taksës.