Dyshime se droni “Skifteri K1” u promovua me video të një kompanie kineze, dy firmat kosovare kanë veç një punëtor
Mediumi Koha.net ka publikuar një raportim ku hedh dyshime mbi vërtetësinë e videos së dronit kamikaz “Skifteri K1”, kinse të prodhuar nga një kompani në Gjilan, e që godet cakun nga një mijë kilometra largësi.
Sipas këtij raportimi, një nga videot që pronari i “Future Minds Academy” ka përdorur për ta promovuar dronin “Skifteri K1” dyshohet se i përket një fluturakeje të prodhuar në Kinë.
Videoja që e ka postuar në Facebook Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds”, është pjesë e videos së prodhuesit “Hinaray”, që promovon dronin H70P dhe kompania kineze e ka publikuar tri ditë para tij.
Dy kompanitë që u bashkuan për të prodhuar dronin e pretenduar, në ATK kanë veç një punëtor të lajmëruar.
“Subjekti për të cilin keni kërkuar ‘ALIU VENTURES’ L.L.C. (numri identifikues 812241016) ka të raportuar vetëm një punëtor në muajin 12-2025 dhe është subjekt i ri i regjistruar. Ndërsa subjekti ‘MIGA SKYSHIELD MAR’ L.L.C. (numri identifikues 812334647) nuk ka të raportuar punëtorë në sistemin e ATK-së”, thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës për mediumin Koha.

