Dyshime për lojëra fati, Policia bastis lokalin ‘Sport Club’ në Suharekë – shoqërohet në stacion pronari
Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Kjo po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve gjithandej vendit.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë kanë kryer sot bastisje në lokalin ‘Sport Club’ në fshatin Greikoc të Suharekës, pasi dyshohej se atje organizohen lojëra të fatit dhe bixhoz i paligjshëm.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar telefon, fatura të lojës ‘Keno’ dhe llaptop.
Po ashtu është bastisur edhe shtëpia e pronarit dhe më pas i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.