Dy vëllezërit në Kamenicë bien në telashe, kapen mat me armë – tentojnë t’i pengojnë zyrtarët policorë

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Rogoqicë të Kamenicës, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë, kanë ndalur për kontroll një veturë brenda së cilës ndodheshin dy persona.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në momentin që janë ndalur nga Policia, pasagjeri ka tentuar të largohet bashkë me çantën në të cilën kishin armë me karikator dhe fishekë.

Pavarësisht tentativave të dy vëllezërve që t’u shmangen organeve të rendit, njëri duke ikur e tjetri duke penguar zyrtarët policorë që të kryejnë punën  e tyre duke kontrolluar të dyshuarin që tentoi të largohet, arma bashkë me municionin është sekuestruar, ndërsa dy të rinjtë janë arrestuar.

Po ashtu gjatë kontrollit të shoferit, në trup i është gjetur një mjet i mprehtë, i cili është sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Dy vëllezërit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Novi Sad: Shkon në 13 numri i të vdekurve nga shembja e stacionit të trenit